Topi: Zgjidhja e krizës? Jam gati. Partitë s‘kanë vullnet
Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka përsëritur gatishmërinë e tij për të negociuar për zgjidhjen e krizës politike në vend, duke e cilësuar si oportune në kuadër edhe të zhvillimeve të fundit. Presidenti i Republikës e ka cilësuar në mënyrë të qartë situatën aktuale si “një ngërç” që duhet zgjidhur. Padyshim aktorët politikë kanë detyrimin për ta zgjidhur, por kreu i shtetit ka deklaruar se konfirmonte qëndrimin e tij për të nisur një tryezë politike bisedimesh. “Së pari, nuk është koha për të dhënë një prononcim të tillë në një eveniment si ky, ku unë kam ardhur për të respektuar. Mirëpo për të respektuar edhe gazetarët dhe në të njëjtën kohë edhe median, unë atë gatishmëri që kam pasur gjithmonë, vazhdoj ta kem, por çështja qëndron gjithmonë te vullneti politik i partive politike”, theksoi Topi. Deklarimi i përsëritur i Presidentit të Republikës, ishte në fakt një apel indirekt për dy forcat kryesore politike të vendit, për të ndërmarrë një hap drejt nisjes së negociatave dhe abandonimin e pozicioneve ekstreme. Komuniteti ndërkombëtar, por edhe shumë politikanë të ndryshëm me përvojë në vend, madje edhe pjesë të mazhorancës, kanë bërë thirrje për nisjen e bisedimeve për zgjidhjen e krizës. Presidenti i Republikës është në fakt edhe aktori më i rëndësishëm institucional për të ndërmarrë një tentativë dialogu, pasi këtë ia jep edhe pozicioni i Kushtetutës, si shprehje e unitetit të popullit. Gjithashtu, Presidenti Bamir Topi, duke qenë se ka një të shkuar si një politikan i moderuar dhe i angazhuar vazhdimisht drejt dialogut, ka treguar më shumë se një herë gatishmërinë për nisjen e bisedimeve, megjithëse përgjegjës për ngërçin janë palët politike. Nga ana e Partisë Socialiste, edhe pse nuk është dhënë një qëndrim zyrtar politik, drejtues të rëndësishëm të kësaj partie kanë përshëndetur gatishmërinë e kreut të shtetit. Një javë më parë, anëtari i Kryesisë së PS-së, ish-kryeministri Pandeli Majko, deklaroi për “Shqip” se e shikonte qëndrimin e Presidentit Topi si “një zhvillim i mirëpritur edhe pse i vonuar”. Por nga Partia Demokratike nuk është dhënë asnjë qëndrim zyrtar, por edhe pasi janë pyetur, nuk kanë dashur të prononcohet. Ndërkaq, një politikan i djathtë, pjesëtar i koalicionit qeverisës, pikërisht republikani Sabri Godo, bëri thirrje për një nisje të menjëhershëm bisedimesh mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Ish-presidenti Moisiu është i mendimit për një takim kokë më kokë Rama-Berisha dhe nuk e shikon si të arsyeshme ndërmjetësimin e kreut të shtetit, Bamir Topi. Në një prononcim për “Shqip”, ish-presidenti Moisiu tha se “i takon qeverisë të lëshojë pe, ka ardhur koha që shqiptarët të kenë një klimë politike të stabilizuar, pasi Shqipëria ndodhet përballë sfidave të mëdha dhe historike drejt integrimit”. Kryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu, tha se “Presidenti i ka të gjitha kompetencat për të zgjidhur situatën”. Dy javë më parë, Presidenti Topi ka zhvilluar një takim të gjatë pune me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Withers, ku është folur për zhvillimet politike në vend dhe mënyrat për një zgjidhje të ngërçit. Mirëpo atëherë ende nuk kishim ardhur te protesta e opozitës që u zhvillua të premten e kaluar nga sheshi “Skënderbej” deri te Kryeministria, ku morën pjesë dhjetëra mijëra vetë dhe që zgjati për tri ditë pa u ndalur.